Al-Inshiqaq
Përkthimi: Sherif Ahmeti
Kur të pëlcet qielli. 84:1
T’i bindet urdhërit të Zotit të vet, ashtu si takoi. 84:2
Dhe kur toka të shtrihet në gjerësinë e saj. 84:3
E të nxjerr çka ka brenda e të çlirohet, 84:4
Dhe t’i bindet Zotit të saj, ashtu si takoi. 84:5
O ti njeri, vërtet ti përpiqesh me një përpjekje të madhe që çon te Zoti yt, e atë (përpjekje) do ta gjesh. 84:6
E përsa i përket atij që libri i vet i jepet nga e djathta, 84:7
Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë, 84:8
Do të kthehet te familja e vet i gëzuar. 84:9
E përsa i përket atij që libri i vet i jepet pas shpinës, 84:10
Ai do t’i ndjellë vetes shkatërrim, 84:11
Dhe do të hyjë në zjarr të ndezur fort. 84:12
Ai ka qenë i gëzuar në familjen e vet, 84:13
Dhe ka menduar se nuk ka për t’u kthyer. 84:14
Po, se, vërtet Zoti i tij gjithnjë e ka parë atë. 84:15
Betohem në kuqërrimin e horizontit pas perëndimit, 84:16
Dhe në natën dhe çka ajo tubon, 84:17
Dhe në hënën kur ajo është e plotë. 84:18
Ju patjetër do të përjetoni gjendje pas gjendjeje. 84:19
E, çka kanë ata që nuk besojnë? 84:20
Dhe kur u lexohet atyre Kur’ani, nuk përulen (nuk bien në sexhde)? 84:21
Përkundrazi, ata që nuk besuan edhe përgënjeshtrojnë? 84:22
E All-llahu e di më së miri se çka mbajnë fshehtë ata! 84:23
Lajmëroji, pra me një dënim të dhembshëm. 84:24
Me përjashtim të atyre që besuan e bënë vepra të mira, të cilët kanë shpërblim të vazhdueshëm! 84:25