Al-Balad
Përkthimi: Sherif Ahmeti
Betohem në këtë qytet! 90:1
E ti je që gjendesh në këtë qytet! 90:2
Betohem në prindin dhe në atë që lind prej tij! 90:3
Vërtet, Ne e krijuam njeriun në vështirësi të njëpasnjëshme. 90:4
A mendon ai, se atë nuk mund ta mposhtë askush? 90:5
E thotë: “Unë kam shpenzuar shumë pasuri!” 90:6
A mendon ai se atë askush nuk e ka parë? 90:7
A nuk i dhamë Ne atij dy sy? 90:8
Edhe gjuhë e dy buzë? 90:9
Dhe i sqaruam atij për të dy rrugët. 90:10
E ai nuk u hodh në përpjetëzen (rrugë e vështirë - qafëmalit). 90:11
E ç’gjë të mësoi ty se ç’është Akabe (rruga e vështirë)? 90:12
Është lirimi i një skllavi, 90:13
Ose dhënia e ushqimit në kohën kur mbretëron uria: 90:14
Ndonjë jetimi që është i afërt, 90:15
Ose ndonjë të varfëri që e ka molisur varfëria. 90:16
E pastaj të bëhej prej atyre që besuan, që këshilluan njëri-tjetrin për durim dhe që këshillluan për mëshirë (për ndihmë). 90:17
Të tillët janë të zotët e anës së djathtë. 90:18
Ndërsa ata që nuk i besuan argumentet Tona, ata jaanë të të majtës. 90:19
Kundër tyre është zjarri i mbyllur. 90:20