Al-Infitar
Përkthimi: Sherif Ahmeti
E kur të çahet qielli. 82:1
Dhe kur të shkapërderdhen yjet. 82:2
Dhe kur të përzihen detet. 82:3
Dhe kur të trazohen varret. 82:4
Atëbotë secili njeri e din se çka punuar dhe çka ka lënë prapa! 82:5
O ti njeri po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? 82:6
I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. 82:7
Të formësoi në formën që Ai dëshiroi! 82:8
Jo, nuk është ashtu. Ju përgënjeshtroni ditën e përgjegjësisë. 82:9
Kurse ndaj jush janë përcjellësit! 82:10
Janë shkrues të ndershëm te All-llahu. 82:11
Ata e dinë se çka punoni. 82:12
E s’ka dyshim se të mirët janë në kënaqësinë e përjetimeve (në Xhennet). 82:13
Dhe se mëkatarët janë në Xhehennem. 82:14
Aty futen ata ditën e gjykimit (të cilën nuk e besonin). 82:15
Dhe nuk kanë të larguar prej tij. 82:16
E ç’të mësoi ty se ç’është dita e gjykimit? 82:17
Përsëri, ç’të mësoi ty se ç’është dita e gjykimit? 82:18
Është dita kur askush, askujt nuk do të mund t’i ndihmojë asgjë; atë ditë e tërë çështja i takon vetëm All-llahut! 82:19