Al-Muddaththir
Përkthimi: Sherif Ahmeti
O ti i mbuluar! 74:1
Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur). 74:2
Dhe madhëroje Zotin tënd! 74:3
Dhe rrobat tua pastroji! 74:4
Dhe të keqës së ndyrë largohu! 74:5
Dhe mos u mburr me atë që jep e të duket shumë! 74:6
Dhe për hir të Zotit tënd duro! 74:7
E, kur të fryhet në Sur, 74:8
Atëherë ajo është ditë e vështirë. 74:9
Për jobesimtarët është jo e lehtë. 74:10
Ti, më le Mua dhe atë që e krijova të vetmuar. 74:11
Dhe bëra këtë pasuri të madhe. 74:12
E bëra edhe me djem që i ka me vete. 74:13
Dhe Unë i lash në disponim të gjitha mundësitë. 74:14
E ai lakmon që t’i shtoj edhe më tepër. 74:15
E jo, se ai vërtet ishte mohues i fakteve tona! 74:16
Atë do ta ndrydhi me një dënim të rëndë e të padurueshëm. 74:17
Pse ai shumë mendonte, radhitte e përgatiste (për Kur’anin). 74:18
Qoftë i shkatërruar, po si përceptonte? 74:19
Prapë qoftë i shkatërruar, po si përceptonte? 74:20
Ai sërish thellohej në mendime. 74:21
Pastaj mrrolej dhe bëhej edhe i vrazhdë. 74:22
Pastaj ktheu shpinën me mendjemadhësi. 74:23
E tha: “Ky (Kur’ani) nuk është tjetër, vetëm se magji që përcillet prej të tjerëve. 74:24
Ky nuk është tjetër, përveç fjalë njerëzish!” 74:25
E Unë atë do ta hedhë në Sekar! 74:26
E, ku e di ti se çka është Sekar? 74:27
Ai nuk lë send të mbetet pa e djegur. 74:28
Ai është që ua prish dhe ua nxin lëkurat. 74:29
Mbikëqyrës mbi të janë nëntëmbëdhjetë. 74:30
E mbiqëkyrës të zjarrit, Ne nuk bëjmë tjetër, përveç engjëjve dhe numrin e tyre (të përmendur në Kur’an) nuk e bëmë për tjetër, por vetëm si sprovë për ata që nuk besuan, e që të binden ata që u është dhënë libri, e atyre që besuan t’u shtohet besimi, e atyre që u është dhëmë libri dhe besimtarët të mos kenë dyshim, dhe ata që zemrat i kanë të sëmura dhe jobesimtarët të thonë: “çka dashti All-llahu me këtë shembull?” Ja ashtu, All-llahu e lë të humbur atë që do, e ushtrinë e Zotit tënd nuk e di kush pos Atij, e ai (Sekari), nuk është tjetër vetëm se një përkujtim për njerëz. 74:31
Jo, nuk është ashtu, Pasha hënën! 74:32
Edhe natën kur tërhiqet! 74:33
Edhe agimin kur agon! 74:34
S’ka dyshim se ai (Sekari) është një nga belatë më të mëdha. 74:35
Është vërejtje për njerëz! 74:36
Për atë nga mesi juaj që dëshiron të përparojë (në të mira) apo të ngecë. 74:37
Secili njeri është pengë i veprës së vet. 74:38
Përveç atyre të djathtëve. 74:39
Që janë në Xhennete e i bëjnë pyetje njëri-tjetrit, 74:40
Përkitazi me kriminelët (e u thonë): 74:41
“çka u solli juve në Sekar?” 74:42
Ata thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz); 74:43
Nuk kemi qenë që ushqyenim të varfërit; 74:44
Dhe kemi qenë që përziheshim me të tjerët në punë të kota. 74:45
Dhe kemi qenë që nuk e besonim ditën e gjykimit. 74:46
Derisa na erdhi e vërteta (vdekja)!” 74:47
E tanimë, atyre nuk u bën dobi ndërmjetësimi i ndërmjetësuesve, 74:48
Po çka kishin ata që largohesin prej këshillës (Kur’ait)? 74:49
Ata ishin si gomarë të trembur (të egër). 74:50
Që ikin prej luanit (ose prej gjahtarit). 74:51
Veç kësaj, secili prej tyre dëshironte t’i jepej libër i posaçëm (i hapët, i qartë). 74:52
E jo! Por ata janë që nuk frikësohen botës tjetër. 74:53
Dhe jo! Se ai (Kur’ani) është këshillë e lartë. 74:54
E kush do, këshillohet me të. 74:55
Po ata nuk mund të marrin mësim prej tij, vetëm nëse All-llahu di, Ai është i denjë për t’iu ruajtur dhe i denjë për falje mëkatesh! 74:56