Ad-Dukhan
Përkthimi: Sherif Ahmeti
Ha, Mimë. 44:1
Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota)! 44:2
Ne e zbritëm ate në një natë të bekuar (në natën e begatshme të kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm. 44:3
Në atë (natë) zgjidhet çdo çshtje në mënyrë të prerë. 44:4
Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne dërguam të dërguar. 44:5
(E zbeitëm) Nga Mëshira e Zotit tënd; Ai është dëgjuesi, i dijshmi. 44:6
Zoti i qiejve e i tokës dhe çka ka ndërmjet tyre, nëse jeni të bindur. 44:7
Nuk ka Zot tjetër, vetëm Ai që jep jetë dhe vdekje, Zoti juaj dhe Zoti i prindërve tuaj të lashtë. 44:8
Por jo, ata (idhujtarët) janë në dyshim, janë duke luajtur. 44:9
Ti pra, prite ditën kur qielli sjell një tym konkret. 44:10
Ai (tymi) i përfdhinë njerëzit. Ky është një ndëshkim i mundimshëm. 44:11
(Ata thonë) Zoti ynë, largoje prej nesh dënimin, ne do të besojmë. 44:12
Prej nga atyre ajo këshillë (ai mësim), kur atyre u pat ardhur pejgamber me argument (e nuk besuan)? 44:13
Po ia kthyen shpinën atij (pejgamberit) dhe thanë: “I mësuar prej dikujt, i çmendur”. 44:14
Ne do t’ua largojmë dënimin për pak kohë, por ju do t’i ktheheni kotësisë. 44:15
(Përkujto) Ditën kur do t’i kapim me atë rrëmbimin Tonë të fuqishëm e do t’u hakmerremi. 44:16
Ne përpara tyre e vumë në sprovë popullin e faraonit, dhe i pat ardhur i dërguar i ndershëm. 44:17
(U pat thënë): “Të m’i dorëzoni robërit e All-llahut, unë sjell argument të sigurt. 44:18
E mos bëni mendjemadhësi ndaj All-llahut, unë sjell argument të sigurt. 44:19
Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj nga (Kërcënimi) që të më gurëzoni (më mbytni). 44:20
E nëse nuk më besoni atëherë hiqnu meje (më lini të lirë)!” 44:21
E thirri Zotin e vet: “Këta janë popull kriminelë”. 44:22
(Ne i thamë) Tërhiqu me robërit e Mi natën, se do të jeni të ndjekur. 44:23
Dhe lëre detin ashtu të qetë (të hapur) se ata janë ushtri që do të përmbytet. 44:24
Sa kopshte e kroje kanë lënë! 44:25
Edhe ara të mbjella e vende të bukura. 44:26
dhe sa të mira që i kanë përjetuar. 44:27
Ja, ashtu atë ua lëmë në trashëgim një populli tjetër. 44:28
Prë ta nuk qajtën as qielli e as toka dhe atyre nuk iu dha afat. 44:29
Ndërsa Ne i shpëtuam beni israilët prej vuajtjeve nënqmuese, 44:30
Prej faraonit. Vërtet ai ishte mizor i pakufishëm. 44:31
Ne i patëm zgjedhur ata (besimtarët e beni israilëve) me vetëdije ndër njerëzit e asaj kohe. 44:32
Dhe u dhamë argumente (mrekulli) në të cilat patën përvojë të qartë. 44:33
E këta (populli yt) me siguri do të thonë: 44:34
“S’ka tjetër, vetëm ajo vdekja jonë e parë dhe ne nuk do të ringjallemi! 44:35
Nëse jeni të vërtetë çka thoni (u thonë Muhammedit e besimtarëve), na sillni pra (në jetë) etërit tanë (të vdekur)! 44:36
A janë ata (idhujtarët) më të fortë, apo populli i Tubeit dhe ata që ishin përpara tyre. Ne ata i zhdukëm, sepse ishin kriminelë. 44:37
Ne nuk krijuam qiejt e tokën dhe çka ndërmjet tyre, pa një qëllim. 44:38
Por, Ne i krijuam të dyja me qëllim të caktuar, mirëpo shumica e tyre nuk dinë. 44:39
S’ka dyshim se dita e kijametit ku kryhet gjykimi, është e caktim i të gjithë atyre. 44:40
Në atë ditë nuk bën dobi asgjë miku për mikun, e as nuk mund të ndihmohen. 44:41
Përjashtim bën ai që e mëshiron All-llahu, se Ai është ngadhnjyesi, i mëshirshmi. 44:42
Është e vërtetë se pema e Zekumit, 44:43
Do të jetë ushqim i mëkatarëve. 44:44
vlon si katran (si pezhgeja) në barqet. 44:45
Ashtu si vlon uji i valë. 44:46
(U thuhet engjëjve për mëkatarin) Rrëmbene e grahne ne mes të Xhehennemit. 44:47
Dhe hudhni mbi kokën e tij ujin e valë e shtonja mundimin. 44:48
(I thuhet): Shijoje! se ti je ai forti, i autoritetshmi. 44:49
E ky është ai (dënimi) për të cilin dyshonit. 44:50
Vërtet, ata që i patën frikë Zotit, janë në vende të qeta. 44:51
Janë në Xhennete e në burime që rrjedhin. 44:52
Veshin petka nga mëndafshi e kadifeja, ulur ballë për ballë. 44:53
Ja kështu, edhe e martojmë më bardhoshe symëdha (me hyrija). 44:54
aty kërkojnë t’u sillen çdo lloj peme dhe atyjanë të sigurt. 44:55
Aty nuk do të përjetojnë vdekjen, përveç asaj të parës në dynja. Ata i shpëtoi (All-llahu) prej vuajtjeve të Xhehennemit. 44:56
(Ato të mira) Janë dhuratë nga Zoti yt, e ai është shpëtim i madh. 44:57
Ne ua bëmë të lehtë atë (Kur’anin) në gjuhën tënde ashtu që ata të marin mësim. 44:58
(Meqë nuk po marrim mësim) Ti pra, prit se edhe ata janë duke pritur. 44:59